Vdekja e 47 vjeçares pasi ra në hapësirën e ashensorit, arrest shtëpiak ndaj dy personave

Një 47-vjeçare më 20.06.2024 kishte vdekur në Prizren, pasi nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve që kishte marr nga rënia në hapësirën e një ashensori nga kati i dytë.

Prokuroria e Prizrenit, për këtë rast është duke e hetuar pronarin e një biznesi me inicialet B. K. dhe personin përgjegjës të biznesit me inicialet H. K.

Ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ata po dyshohen për veprën penale të “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Në një përgjigje të dhënë për KALLXO, kjo Prokurori ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, por kjo kërkesë është refuzuar nga Gjykata e Prizrenit.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se lidhur me rastin, më datë 21.06.2024 me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy (2) persona, B. K., – pronar i personit juridik, dhe H. K., – person përgjegjës i personit juridik, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 paragrafi 6, lidhur me paragrafin 3 dhe me paragrafin 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Gjykata Themelore në Prizren, të pandehurve të lartëcekur u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prizrenit të dhënë më datë 24.06.2024.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi kishte konfirmuar këtë rast duke thënë se viktima kishte rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Si shkak i këtyre lëndimeve, viktima 47 vjeçare kishte ndërruar jetë në, kurse vdekja ishte konstatuar nga Emergjenca.

“Deri te incidenti kishte ardhur pasi viktima kishte thirrur liftin për ta përdorur. Dera e liftit ishte hapur dhe viktima kishte rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore” – kishte thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Viktima nuk ka mundur t’u përballoj plagëve dhe kishte ndërruar jetë. Nga mjekët e Emergjencës është konstatuar vdekja e personit H. V., femër, lindur me 1977 me banim në Prizren” – kishte thënë Bytyqi.

Të dyshuarit ishin arrestuar më 21.06.2024 dhe ky rast është në fazën e hetimeve dhe po trajtohet nga Prokuroria e Prizrenit.