Papa Françesku - Foto: REL/Reuters

Vatikani ofron ndihmë në bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë

Vatikani është i gatshëm “ta lehtësojë” një dialog midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës, tha të hënën Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin.

Parolin, i cili është zyrtari numër një i Vatikanit pas Papa Françeskut, i tha gazetës italiane Corriere Della Sera se ai beson se “ka ende dhe gjithmonë vend për negociata. Nuk është asnjëherë tepër vonë”.

Parolin shtoi se Vatikani ka ndjekur me “vëmendje të madhe ngjarjet në Ukrainë” dhe se ofron “gatishmërinë e tij për ta lehtësuar dialogun me Rusinë, është gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë palët për zgjedhjen e konfliktit”.

Papa Françesku foli edhe një herë të dielën mbi konfliktin gjatë lutjes së tij javore Angelus dhe u kërkoi besimtarëve të luten dhe i ftoi të gjithë “ta bëjnë 2 marsin, të mërkurën e hirit, një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në Ukrainë”.

Sot, është dita e pestë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./CNN