"Uta e Maleve", Fotografi: Uta Ibrahimi në Facebook
'Uta e Maleve' do shpërndahet në 5000 familje në nevojë
Libri “Uta e Maleve” në të cilin përshkruhet eksperienca personale e alpinistes Uta Ibrahimi, pritet të shpërndahet në 5000 familje në nevojë nëpër gjithë Kosovën.
Ibrahimi përmes një postimi në Facebook ka treguar se libri do të shpërndahet në gjuhën shqipe, rome dhe serbe.
“Nuk ka shpërblim ma të mirë se sa fakti që puna që e bëjmë çdo ditë, po inspiron të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Ibrahimi.
Libri për fëmijë “Uta e maleve” i autores Tefta Kelmendi, përshkruan udhëtimin e Utës nga fëmijëria e deri në ngjitjen në majën e malit më të lartë në botë, Mont Everest.
Ky libër ka përmbajtje edukative, ku trajtohen temat si mbrojta e natyrës, të drejtat e grave, dhe puna si mjet drejt suksesit.
Qëllimi i librit është që t’i frymëzojë fëmijët që të shohin mundësitë e mrekullueshme që sjell jeta, shumë prej tyre përtej të zakonshmes, dhe të rrisë kureshtjen dhe besimin e tyre që ëndrrat mund të realizohen.
Ilustrimet janë bërë nga Katerina Nikolovska.
Libri do shpërndahet nga Unicef Kosovo Programme dhe nga Fondacioni Utalaya.
Uta Ibrahimi është shqiptarja e parë që u ngjit në majën e Mont Everestit në maj të vitit 2017 dhe mban titullin e Kampiones së Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs) të OKB-së.