Unforma të policisë serbe dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës u gjetën brenda një shtëpie në Leposaviq

Dhjetëra uniforma të policisë së rregullt dhe asaj speciale serbe por edhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës janë gjetur në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla me anë të një njoftimi ka thënë se këto uniforma u gjetën pas informatave inteligjente të policisë.

“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë”- ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Sipas ministrit,  kjo është edhe ‘një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë’.

“Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet. Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”- ka shkruar tutje Sveçla.