Fourth Wave

'Unë jam mirë, kur janë mirë gratë' - Aksioni simbolik i organizatës feministe në Mitrovicë

“Unë jam mirë, kur janë mirë gratë”, është mbishkrimi i një parulle të organizatës “Fourth Wave” gjatë aksionit të tyre simbolik të mbajtur sot më 06.06.2024, pranë shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë.

Drejtoresha e kësaj organizate, Neri Ferizi tregon se transformimi i citimit ikonik të  këtij atdhetari ka për qëllim ta pasqyroj urgjencën e trajtimit të dhunës me bazë gjinore në Kosovë.

“Pasi e vendosëm këtë citim të transformuar pranë shtatores së Isa Boletinit, ne jo vetëm që sot po kërkojmë që të sfidohet status quo-ja, por edhe ftojmë të gjithë në reflektim dhe veprim kombëtar. Ne e dimë se atdhetarët tanë nuk luftuan për një komb ku vajzat e gratë janë viktima të ngacmimeve, dhunës dhe femicidit”- tha Ferizi.

Sipas njoftimit të organizatës “Fourth Wave”, qëndrimi i bashkuar në këtë kauzë çon në një hap të rëndësishëm ku  çdo grua mund të jetojë e lirë nga frika dhe shtypja.

Foto: Organizata ‘Fourth Wave’