Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Ulen pagat në Telekomin e Kosovës

Bordi i Telekomit të Kosovës ka nxjerrë një vendim të ri i cili parasheh zvogëlimin e pagave për punonjësit e kësaj ndërmarrjeje publike.

Sipas vendimit, punëtorëve do t’u zbriten pagat për 10 për qind ndërsa pozitave të larta 20 për qind.

Njoftimi është bërë përmes një mesazhi elektronik ndërsa vendimi është paralajmëruar se hyn në fuqi nga data 1 janar 2020.

Sipas njoftimit të cilin e kanë pranuar punëtorët e Telekomit të Kosovës, “TK është duke u përballuar me probleme teknike dhe ka shkurtuar të gjitha shpenzimet tjera operative me qellim  të përmirësimit të shërbimeve për konsumatorë”.

“Kontratat e punës dhe gradat mbesin të njëjta por koeficienti i secilës gradë  për të gjithë punëtorët pa dallim zbritet për 10 % përjashtuar pozitat e larta të parapara me Ligjin për Ndërmarrje Publike ku zbritja e koeficientit aktual është për 20 % , duke filluar nga data 01.01.2020”, thuhet në njoftimin e Telekomit të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Për këtë zhvillim brenda të Telekomit të Kosovës nuk është njoftuar Sindikata e Punëtorëve.

“Në e- mail na ka ardh një njoftim por nuk janë konsultuar me neve. E- maili na ka ardhur pak para orës 16:00 sot, na kanë thanë që për shkak të gjendjes së Telekomit, Bordi ka marr vendim për uljen e pagave. Unë mendoj që është një vendim i ngutshëm sepse nuk janë konsultuar  me ne”, ka thënë për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.

Ai ka thënë se të hënën do të njoftojnë për hapat që do të ndërmarrin si sindikatë në lidhje me njoftimin e Telekomit të Kosovës.

“Të hënën në ora 10:00 e kemi një takim me Bordin e Telekomit dhe menjëherë pas takimit do të iu njoftojmë për hapat që do të ndërmarrim”, tha tutje Balaj.

Ai ka thënë se nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme gjendja financiare në Telekom, pasi që, sipas tij, një gjendje jo stabile ekziston që një kohë të gjatë.