Foto: KALLXO.com

Ujësjellësi bën thirrje për kujdes me ujëmatësit dhe tubat, mund të ngrihen brenda pak orëve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kenë kujdes me instalimet e ujëmatësve dhe tubacioneve, pasi ekspozimi i tyre në temperatura të ftohta mund të shkaktojë ngrirje brenda pak orëve.

“Të nderuar konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. , ju lutemi që të keni kujdes të shtuar gjatë vendosjes së ujëmatësve, kur bëhet fjalë në këtë kohë me temperatura të ulëta”, thuhet në njoftim.

“Ju paralajmërojmë se tubacionet / instalimet brenda pronës tuaj përfshirë këtu edhe ujëmatësit, mund të ngrihen brenda disa orëve, nëse ata janë të ekspozuar direkt ndaj ajrit të ftohtë”, thuhet tutje nga Ujesjellësi.

Përmes këtij njoftimi, ujësjellësi potencon se banorët janë përgjegjës për tubacionet dhe instalimet në pronën e tyre.

“Keni parasysh që ju jeni përgjegjës për mbrojtjen e tubave të ujit dhe të ujëmatësve (të brendshëm ose të jashtëm / në afërsi të banimit) nga ajri i ftohtë dhe era. Parandalimi i ngrirjes së ujëmatësve dhe tubave që mos të vijë deri te ngrirja është shumë më e lehtë sesa zëvendësimi i tubave që ngrijnë dhe shpërthejnë”, thekson ujësjellësi.

Më poshtë gjeni disa instruksione se si duhet vepruar për të parandaluar ngritjen e instalimeve dhe tubacioneve të ujit.

“Gjeni valvolën kryesore të mbylljes së ujit p.sh në bllokun e banimit (puseta me ujëmatësin kryesor) apo në shtëpitë private. Tregoni të gjithë anëtarëve të familjes se si të mbyllni atë, në rast të një tubi i cili mund të shpërthejë ose emergjencë të ngjashme. Në banimet kolektive, banorët duhet të dinë vendndodhjen e pusetës me ujëmatës dhe valvolën për ndërprerjen, po ashtu dhe valvolën për ndërprerje të rrjetit të hidrantëve të brendshëm në rast se keni shpërthim të tubit të hidrantëve”.

Apel të veçantë, kompania ka për banorët në katet përdhesë ku edhe ekspozimi në ajër të ftohtë është më i madh.

“Apelojmë që në katet përdhesë, ku vertikalja e furnizimit është më shumë e ekspozuar në ajrin e ftohtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, ju lutemi të merrni masa dhe izoloni që të mos vijë deri te ngrirja. Apelojmë te konsumatorët që të bëjnë izolime në pusetat ku kanë të vendosur matësin e ujit që të mos vijë deri te ngrirja”, shton tutje ujësjellësi.

Sipas tyre, tubat që kanë rrezik më të lartë për ngrirje janë ata në muri të paizoluar mirë, bodrume dhe garazhe.

“Tubat që kanë më shumë gjasa të ngrihen janë ata që janë në muri të paizoluar mirë, garazhe, bodrume dhe ata të vendosur cektë nën sipërfaqen e tokës. Shtoni izolimin në mure të jashtme kudo që të jetë e mundur dhe mbyllni gypat me izolim në garazhe dhe bodrume si dhe bëni izolim të brendshëm ujëmatësit me materiale që pengojnë ajrin e ftohtë”, thuhet nga ujësjellësi.

Një apel të ngjashëm kompania e ujësjellësit e bëri edhe në mesin e muajit dhjetor të vitit 2021,  si shkak i reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.