Ilustrim

Ujësjellësi Prishtina: Jemi të detyruar të aplikojmë reduktime, kërkesa për ujë të pijshëm është rritur shumë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se do të aplikojë reduktime të ujit në disa zona pasi kërkesa për furnizim është rritur shumë.

“Ju njoftojmë se sot, kërkesa për ujë të pijshëm është rritur jashtëzakonisht shumë, me ç’rast pavarësisht trajtimit të ujit për pije me kapacitet maksimal, uji nuk po arrin në disa pika furnizuese. Jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit në disa zona” – thuhet në njoftim.

Sipas kompanisë, Lagjja Qëndresa, lagjja Nic, pjesa e Veternikut kah Rezonanca, lagjja Qershia do të kenë reduktime nga ora 16:00-22:00.

“Nëse vazhdon kjo rritje e kërkesës për ujë, reduktime do të aplikohen edhe për zona tjera”- thuhet më tej në njoftim.

KRU Prishtina thekson se keqpërdorimi i ujit ka arritur në kulmin e papërgjegjësisë.

“Kemi potencuar e ritheksuar se reduktime nuk do të ketë vetëm nëse nuk keqpërdoret uji, gjë që sot keqpërdorimi ka arritur kulmin e papërgjegjësisë”- thuhet në njoftim.

Ditë më parë u raportua se pas reshjeve të muajve të fundit liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit kanë arritur nivelin e tyre maksimal të kapërderdhjes.