Foto: Policia e Kosovës

Policia konfiskon në Pejë 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar

Policia e Kosovës ka njoftuar se 36 mijë e 180 kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar sot në një biznes në Zahaq të Pejës.

Sipas njoftimit, për rastin e njëjtë janë arrestuar dy të dyshuar, A.H., i cili sipas Policisë është menaxheri kryesor i pesë njësive të biznesit afarist dhe A.A., zëvendësmenaxher i deposë.

Policia ka thënë se në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia.

“Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar”, është thënë tutje.

Policia ka njoftuar se dy të arrestuarit janë intervistuar dhe se me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari A.H. është ndaluar për 48 orë ndërsa i dyshuari A.A. është lëshuar në procedurë të rregullt.

Policia ka treguar se ngjarja është realizuar nga hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë së bashku me inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Inspektorin Sanitar dhe zyrtarë të ATK-së.

Foto: Policia e Kosovës