Pamje nga vendi i ngjarjes. Foto:Kossev

Tubimi i serbëve para Policisë e Gjykatës në Mitrovicë, nuk dihen arsyet

Punonjës të institucioneve të ndryshme në veri të Mitrovicës kanë filluar të mblidhen para hyrjes së Stacionit të Policisë së Kosovës dhe objektit të gjykatës, të martën e 23 gushtit.

Siç raporton mediumi serb “Kossev”, ndonëse disa nga qytetarët që po qëndrojnë atje nuk kanë pranuar të flasin, disa të tjerë jozyrtarisht kanë thënë se nuk e dinë as arsyen e tubimit, por që të njëjtit janë ftuar.

“Për momentin, në mesin e të mbledhurve nuk ka zyrtarë, përveç një këshilltari nga Komuna e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Një pjesë e rrugës është bllokuar për momentin nga një cisternë, një mjet civil dhe një kamionçinë, por mjetet janë larguar shpejt”, raportoi Kossev.

Sipas këtij mediumi, në zonën e stacionit policor, ndodhen disa pjesëtarë të policisë, ndërkohë që është mbyllur porta përmes të cilës hyjnë veturat.

Bazuar në burimet e Kossevit, arsyeja e grumbullimit është arrestimi i inspektorit N.R., i cili u denoncua në polici nga aktivisti dhe udhëheqësi i iniciativës qytetare “Srpski opstanak”, Aleksandër Arsenijeviq.

Ndryshe, në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, punimet në stacionin e ri të policisë kufitare janë në përfundim. Krahas kësaj, praninë dhe patrollimin në këtë zonë e kanë shtuar së fundmi Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës si dhe trupat e KFOR-it./Dukagjini.com