"Peceta nuk është luks" - Qendra "Qika" Foto: KALLXO.com

'Trupi jonë nuk është tabu'- Kërkohet heqja e taksës për produktet menstruale në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Higjienës Menstruale, sot (28.05.2024)  është mbajtur “Konferenca regjionale për higjienën menstruale”, në kuadër të projektit “Our bodies are not a taboo. Period” (Trupat tanë nuk janë tabu. Perioda).

Ky projekt zbatohet nga organizata “EcoKosWomen”, me qëllim lehtësimin e qasjes në produkte higjienike menstruale.

Magbule Hyseni nga kjo organizatë, tha se taksat e larta të TVSH-së për produktet menstruale vazhdojnë të mbeten ende sfidë për gratë dhe vajzat në vend.

“Taksat e larta të TVSH-së vendosur mbi këto produkte të nevojshme, sjellin sfida të konsiderueshme, duke i bërë ato shpesh të paarritshme për shumë gra dhe vajza.Për më tepër,  gratë dhe vajzat detyrohen të ballafaqohen me tabutë dhe mitet e përhapura lidhur më shëndetin menstrual”- ka thënë Hyseni.

Ndërkaq minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në bazë të raporteve ndërkombëtare, vetëm 55% e grave vendosin për autonominë e tyre fizike duke theksuar se edhe testi i virgjërisë tashmë është vepër penale.

Konferenca regjionale për higjienën menstruale, Foto: KALLXO.com

E para e Ministrisë së Drejtësisë shtoi se që nga viti 2023, pecetat higjienike janë falas për punonjëset e kësaj ministrie dhe se pret që njëjtë të veprojnë edhe institucionet e tjera publike.

“Është nevojë dhe nuk është luks, që nga shkurti i vitit 2023 pecetat higjienike janë falas për punonjëset e Ministrisë së Drejtësisë”- tha Haxhiu.

Në konferencë, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Lidhur me vetëdijësimin për shëndetit menstrual, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci tha se edukimi seksual është pjesë përfshirëse e kurrikulës në shkolla dhe se do të vazhdojnë me trajnim për mësimdhënësit për këtë.

“Ne do ta ndalim përpjekjen për normalizimin e temave të tilla që ende shihen si tabu” – ka deklaruar Nagavci.

Në shënim të kësaj dite, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), sot më 28.05.2024, kanë shpërndarë peceta menstruale falas për gratë dhe vajzat në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqyet.

“Edhe sot po kërkojmë që taksa menstruale me u largu, sepse ne besojmë që qasja në produkte menstruale është e drejtë bazike dhe jo privilegj”- ka thënë Blenda Asllani nga kjo organizatë.