Foto: Donald J. Trump / Facebook

Trump e Musk mbajnë anën e Le Penit të dënuar për përvetësim fondesh

Liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, e cila është dënuar të hënën për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian dhe i është ndaluar pjesëmarrja në Zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ka thënë të martën se do ta apelojë Verdiktin – raporton televizioni informativ Euronews.

Dhe asaj menjëherë i kanë dalë në krah presidenti amerikan Donald Trump dhe aleati i ngushtë Elon Musk. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Le Penit iu ndalua kandidatura për Presidencialet e ardhshme, edhe pse “ajo ishte Kandidate prijëtare”.

“Kjo tingëllon si ky vend. Kjo tingëllon goxha shumë si ky vend.” – ka deklaruar Trump, duke iu referuar qartazi rasteve ligjore, me të cilat është përballur lideri amerikan para se ta fitonte mandatin e dytë për kthim në Shtëpinë e Bardhë.

“E di fort mirë krejt këtë punë. Shumë njerëz mendonin ajo do të dënohej për kurrgjë hiç.” – ka thënë ai.

Miliarderi i lindur në Afrikën Jugore, Elon Musk ka qortuar Verdiktin e Gjykatës, sipas të cilit Le Pen dhe 24 bashkëpunëtorë të saj përballen me katër vjet burgim dhe me një gjobë prej 100,000 eurosh për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian për punëtorët e partisë në Francë.

“Kur e majta radikale nuk mund të fitojë nëpërmjet votës demokratike abuzon sistemin legal për të burgosur kundërshtarët.” – ka deklaruar Musk. “Ky është doracaku i tyre standard në mbarë botën”.

Musk, i cili qartazi mbështet lëvizjet e së djathtës ekstreme në mbarë Europën, ka thënë se Verdikti i Gjykatës mund të ketë kundërefekt.

Duke folur për televizionin francez TF1 në reagimin e parë pas Verdiktit, Le Peni e ka quajtur “Vendim politik” Verdiktin e Drejtësisë dhe ka thënë se miliona francezë “janë zemëruar” prej Vendimit. Ajo ka thënë se Verdikti shkel Ligjin – duke bërë të ditur se do të apelojë Vendimin dhe se Drejtësia, sipas saj, do të vihet në vend para Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

“Kjo është fatale për demokracinë tonë.” – ka thënë ajo.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com