Tri javë pasi konsiderohet i zhdukur, udhëheqësi opozitar rus, Navalny shfaqet në mediat sociale 

Kritiku i Putinit i falënderon mbështetësit në komentet e tij të para që nga zhdukja pothuajse tri javë më parë në Rusi.

Udhëheqësi i opozitës ruse i burgosur Alexei Navalny u rishfaq në mediat sociale të martën, duke u thënë mbështetësve të tij që të mos shqetësoheshin për të, një ditë pasi bashkëpunëtorët e tij konfirmuan se ai ishte gjetur në një koloni të largët dënimi në veriun e largët të Rusisë.

“Jam mirë”- ka thënë Navalny në komentet e tij të para që nga zhdukja e tij pothuajse tri javë më parë, të postuara përmes aleatëve të tij në platformën e mediave sociale X. “Faleminderit përsëri të gjithëve për mbështetjen tuaj”.

Navalny i kishte humbur një sërë takimesh gjyqësore në javët e fundit dhe ekipi i tij nuk kishte mundur ta gjente atë në institucione të ndryshme penale në të gjithë vendin. Zhdukja e tij ngjalli shqetësim për mirëqenien e tij midis mbështetësve në Rusi, si dhe në kryeqytetet evropiane dhe në Uashington.

Të martën, Navalny konfirmoi se ai ishte transferuar në një koloni burgu të njohur si “Ujku Polar”, në rajonin e largët të Arktikut të Yamalo-Nenets, një zonë shumë e ftohtë, shumë e izoluar dhe e vështirë për t’u arritur.

Navalny së fundmi ishte burgosur në koloninë korrektuese IK-6 Melekhovo rreth 240 km në lindje të Moskës, ku ai po vuan dënime që arrijnë në më shumë se 30 vjet me akuza të ndryshme. Ai tha se ka mbërritur në objektin e ri të Arktikut të shtunën mbrëma pasi u “transportua me një kujdes të tillë dhe në një rrugë të çuditshme” për 20 ditë.

“Nuk prisja që dikush të më gjente këtu para mesit të janarit”- ka thënë Navalny.

Një aktivist i madh kundër korrupsionit që e nxiti opozitën politike të Rusisë dhe një kritik i zëshëm i Presidentit Vladimir Putin, Navalny ka qenë prej kohësh një therrë në këmbë për Kremlinin. Në burg, ai ka vazhduar ta shajë elitën në pushtet dhe e ka përdorur përfaqësimin e tij ligjor për të postuar mesazhe në mediat sociale për ta ndëshkuar Putinin për korrupsion të dyshuar dhe atë që ai e ka përshkruar si skllavërim të popullit të tij nga lideri rus.

Zhdukja e Navalny-t këtë muaj erdhi pasi Putin konfirmoi se ai do të kandidonjë në zgjedhjet presidenciale më 17 mars, një vendim ky që pritet të prodhojë një fitore që do ta zgjasë sundimin e Putinit për gjashtë vjet të tjerë. Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të votojnë për këdo tjetër përveç Putinit.

Aleatët e tij thanë se transferimi i tij në një vend kaq të largët ishte projektuar në përpjekje për t’ia mbyllur gojën liderin e opozitës. Qasja në objektin e burgut është e vështirë dhe dërgimi i letrave atje është pothuajse i pamundur, thanë ata.

Kremlini e ka mohuar të jetë në diejni për vendndodhjen e Navalny gjatë kohës që ai ishte zhdukur, duke këmbëngulur se nuk po ndiqte rastin e liderit të opozitës. Në vitet e fundit, autoritetet ruse kanë kërkuar të shtypin çdo kundërshtim ndaj sundimit më shumë se dydekadësh të Putinit. Kritikët e qeverisë, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe gazetarët janë burgosur për periudha të gjata, janë dënuar me gjoba të mëdha ose janë detyruar të largohen nga vendi./Wall Street Journal

Përgatiti: Nuhi Shala