Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Trefishohet numri i kërkesave nga komunitetit serb në veri për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës

Interesimi i qytetarëve të komunitetit serb nga komunat e veriut të vendit për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës po rritet.

Që nga liberalizimi i vizave, statistikat zyrtare tregojnë  se numri është trefishuar.

Në një intervistë për KALLXO.com, Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Blerim Camaj tha se në komunat veriore është trefishuar kërkesa për aplikim.

Madje ai tha se edhe në komunat e tjera që janë me shumicë serbe ka pas rritje të kërkesave për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës.

“Vlen të theksohet se në komunat veriore janë trefishuar kërkesat për aplikim, por gjithashtu edhe për gjitha komunat që janë më shumicë serbe ka pas kërkesa në rritje” – tha Camaj për KALLXO.com.

Sipas Camajt, numri total i të gjithë qytetarëve në Kosovës që janë pajisur me pasaportë është rreth 186 mijë, që nga 01.01.2024 deri më 15.05.2024.

Interesimi i madh, bëri që gjatë këtyre muajve të ketë vonesa të shumta në qendrat për pajisje me dokumente në komunat e Kosovës.

Drejtori i ARC-së shpjegoi se ka pasur raste kur qytetarët presin deri në 40 ditë për t’u pajisur me dokumentin për të cilin kanë aplikuar, por që kjo situatë tashmë është normalizuar.

“Afatet ligjore janë 15 ditë, po për shkak të situatës që ishte e jashtëzakonshme, realisht qytetarëve iu ka rënë të presin deri në 40 ditë, po tani jemi në afatin ligjor dhe situatën e kemi në normalitet.” – tha drejtori i ARC-së.

Sipas tij, këto vonesa erdhën si shkak i kapaciteteve të vogla të prodhimit dhe kërkesave të mëdha të aplikimit për pasaporta.

Camaj shpjegoi se vonesat për t’u pajisur me dokumente bënë që qytetarët të paguajnë para shtesë për t’i marrë dokumentet në procedure të përshpejtuar.

Ai tha se pagesa për këta qytetarë ishte 50 euro, e se kishte raste kur brenda ditës kishin deri në 1 mijë kërkesa me procedurë të përshpejtuar.

“Qytetarët kur e vërejtën që ka pritje, kërkesat filluan mu rritë. Variuan prej 500 raste në ditë deri në 1 mijë. Pritja për procedurë të përshpejtuar shkon deri në 72 orë. Pagesa ishte 50 euro, po sa i përket statistikave s’i kemi se variojnë” – u shpreh Camaj.

Drejtori shtoi se ende ka probleme në disa prej qendrave, për shkak të mungueses së stafit dhe të mos-shpalljes së konkurseve për një kohë të gjatë, por ai shpjegoi se tashmë janë në procedurë të rekrutimit.

Camaj shpjegoi se edhe makineria e vjetër ishte një nga shkaqet e vonesave që ndodhën.

Madje ai tha se e makineria e vjetër që posedonin për prodhim të pasaportave kishte kapacitet vetëm deri në 2 mijë pasaporta.

Drejtoi shtoi se makineria tashmë është ndërruar, gjë që ka lehtësuar edhe më shumë punën e zyrtarëve.

Po ashtu, ndërrimi i makinerisë bëri që të ndërpritet puna me orar të zgjatur, që kishte filluar më 25.04.2024, pas vendimit të nxjerr nga MPB që caktonte që të gjitha Qendrat për pajisje me dokumente, gjatë ditëve të punës të punojnë me orar të zgjatur deri në orën 18:00, si dhe të shtunave deri në orën 16:00.

Ky vendim, pasi është stabilizuar situata, nuk është më në fuqi.

“Sistemi i prodhimit ishte një sistem tjetër, me ndryshimin e sistemit dhe ndryshimin e makinerisë së prodhimit të dokumenteve u rrit edhe kapaciteti i prodhimit. Makineria e vjetër kishte kapacitetin deri në 2 mijë (pasaporta) dhe për shkak se i frikësoheshim mos po ka defekte nuk kemi pas mundësi më makinerinë e vjetër me dalë me orar shtesë” – u shpreh drejtori i ARC-së.

Ndër të tjera, Camaj tha se edhe janë furnizuar mjaftueshëm me materiale për dokumente dhe se nuk do të ketë kriza sa i përket furnizimit.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023, nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.