Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/Courtesy Photo

Thaçi thotë se nuk ka marrëdhënie të veçantë me Vuçiqin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se nuk marrëdhënie të veçantë dhe as personale me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk  kam relacion të veçantë dhe personal me Presidentin Vuçiq – ne jemi presidentë të shteteve të pavarura, të zgjedhur në mënyrë legjitime, kurse unë i promovoj qëndrimet e vendit tim në çdo forum dhe para të gjithë zyrtarëve, duke e përfshirë këtu edhe presidentin e Serbisë”, ka thënë ai në një intervistë për BBC-në në serbisht.

Presidenti ka shtuar se ende ekzistojnë dallimet mes tij dhe Vuçiqit, por se siç thotë ai kjo nuk duhet t’i pengojë të bisedojnë për të ardhmen.

“Kemi pasur shumë dallime në të kaluarën, ato ekzistojnë edhe sot, por kjo nuk duhet të na pengojë që si dy presidentë të bisedojmë për të ardhmen”, është shprehur Thaçi.

BBC në këtë artikull shkruan se Thaçi me Vuçiqin kanë biseduar në nivelin presidencial në negociata të cilat i ka udhëhequr ish-përfaqësuesja e lartë evropiane Federika Mogerini, por këta dy u takonin edhe në forume të ndryshme ndërkombëtare edhe atëherë kur negociatat, zyrtarisht nuk kanë ekzistuar.

Sjelljet problematike të ‘djemve joproblematikë’ para takimit të sotëm në Bruksel

Ndërkaq, në të ardhmen, Thaçi konsideron se as Kosova, as Serbia, nuk mund të llogarisin në anëtarësim në Bashkim Evropian pa marrëveshje përfundimtare.

“Nëse e humbim këtë mundësi, do të qajmë para dyerve të Brukselit, por kjo nuk do ta shqetësojë askënd e as nuk do t’i interesojë askujt. Konfrontimi me Serbinë nuk ndihmon marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në” , i ka thënë Thaci BBC-së.

BBC shkruan se edhe pse të ardhmen e sheh në Bashkimin Evropian, Hashim Thaçi kohëve të fundit i kritikon ashpër diplomatët nga Brukseli dhe politikën e vet e ndërlidh me marrëdhëniet pozitive me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo sepse ata e meritojnë të kritikohen – madje i kemi kursyer nga kritikat, edhe pse jemi të vetëdijshëm që kritika nuk ka kurrfarë ndikimi. Megjithatë, duhet të jem i hapur me qytetarët e mi, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por Kosova ende, padrejtësisht mbetet e izoluar. Kosova ndjehet e tradhtuar dhe dënuar për shkak të mungesës së unitetit mes anëtarëve të BE-së”, ka thënë presidenti.

Thaçi veçanërisht i përshëndet marrëveshjet që janë arritur nën udhëheqjen e ambasadorit Richard Grenell.

“Roli udhëheqës i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe kjo gjë është thënë qartë në dy letra të dërguara nga presidenti Trump, kurse ambasadori Grenell vetëm i ndjek udhëzimet që i ka marrë nga presidenti. Është esenciale që të ketë koordinim të plotë mes Uashingtonit dhe Brukselit, por është e qartë se Uashingtoni është duke i çuar gjërat përpara më mirë dhe më fuqishëm”, është shprehur presidenti.