Thaçi: Takimi i 27 qershorit në Uashington, mundësi e artë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Uashington është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë  intervistë presidenti Thaçi tha se nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh.

Ai deklaroi se ky është takim i një rëndësie të veçantë dhe historike, pasi sipas tij, për herë të parë të dy vendet takohen apo kanë  pranurar të takohen në Shtëpinë e Bardhë.

“Është një interesim do të thotë i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vet presidenti Trump, dhe tash kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik. por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se pret vullnet të dyanëshëm që të punohet për arritjen e një marrëveshje të rëndësishme dhe për të mirën e dy vendeve.

“Është shumë me rëndësi që të dy vendet tona, edhe Kosova edhe Serbia, kanë treguar zotimin e vet, por edhe besimin që ky proces të jetë i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të ardhmen e sigurt të të dyja vendeve në rrafshin edhe zhvillimor por edhe atë të vlerave euroatlantike”, tha presidenti Thaçi.

Intervistën e plotë të tij për Zërin e Amerikës mund ta lexoni KËTU.