Aleksander Vuçiq, Johannes Hahn dhe Miroslav Lajcak - Foto: BETA

Thaçi: Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpool

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tha se ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, apo i përfoluri si emisar i mundshëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpool.

“Në një nga votat vendimtare që i është premtu Kosovës në Interpol, në fund e ka mbyll telefonin dhe e ka votu kundër Kosovës është Mirosllav Lajçak”, tha ai.

Tutje ai u shpreh i zhgënjyer nga ana e BE-së për emërimin e mundshëm të Lajçakut.

“Brukseli me emërimin e tillë të një emisari nga një shtet që nuk e njeh Kosovën është gabim strategjik. Lajçak është miku i im, por është referencë e gabuar e BE-së në mes të një procesi të ndjeshëm mes Kosovës dhe Serbisë ta vendos atë. Pse nuk propozohet dikush nga një vend që e ka njohur Kosovën”, tha Thaçi.

“I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: “Miku im, kjo do të jetë një punë e mire për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë”, shtoi ai.

Mediat serbe kanë raportuar se ministri i Jashtëm në largim i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë i dërguari special i Bashkimit Europian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga BE në lidhje me këtë çështje.

Mediat serbe: Emërohet Emisari i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi

www.kallxo.com