Mediat serbe: Emërohet Emisari i BE-së për bisedimet Kosovë - Serbi

Sipas mediave serbe, Ministri i Jashtëm në largim i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, do të jetë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta serbe “Blic” duke cituar burimet e veta raporton se propozimi për emërimin e Lajcak në këtë pozitë ka ardhur nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka qenë në gjendje as ta pohojë por as ta demantojë informatën nëse Lajçak do të jetë i Dërguari Special i BE-së për bisedime mirëpo ka deklaruar  se nuk do ta përjashtonte një gjë të tillë.

“Nuk mundem ta pohoj e as ta demantoj, megjithatë nuk e përjashtoj një mundësi të tillë. Kushdo që do ti udhëheqë këto bisedime do të jetë nën ndikimin e fortë të Berlinit. Besoj se me këtë i thashë të gjitha”, ka deklaruar Vuçiq për televizionin shtetëror serb, RTS.

Vuçiq ka deklaruar po ashtu se gjatë muajve në vijim ai e pret një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin.

Lajçak do ta marrë këtë funksion me propozimin e kancelares Merkel e cila, sipas mediave të Beogradit, në këtë mënyrë, madje edhe përmes ndërmjetësimit, do të angazhohej në Ballkan.

Miroslav Lajçak është njohës i mirë i çështjeve në Ballkan si dhe një politikan me përvojë ndërkohë që veçse i ka kryer një sërë funksionesh në këtë fushë. Ka qenë Përfaqësuesi i Posaqëm i BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka punuar në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, e flet nje gjuhë të cilën e kupton komplet rajoni i Ballkanit si dhe posedon përvojën e mjaftueshme për ta kryer këtë funksion.