Foto: Kallxo.com

Thaçi i shkruan letër Kurtit: Nuk e shfrytëzuat të drejtën për krijimin e qeverisë së re

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shkruar letër Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai ia ka bërë me dije se nuk do të presë më përgjigjen e Kurtit në kërkesën e Presidentit për propozimin e një mandatari për qeverinë e re.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën të propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me Vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letër.

Thaçi ka paralajmëruar edhe veprimet e ardhshme në drejtim të formimit të qeverisë.

“Do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”, shkruan në letër.

Kujtojmë se Presidenti i Kosovës përmes Twitterit kishte paralajmëruar se këtë javë do të ndërmarrë hapa drejt formimit të qeverisë së re. Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje insiston që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.