Thaçi flet nga Uashingtoni për raportet me NATO-n

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeu, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se partitë kosovarë nuk duhen të marrin vendime që lëndojnë raportet me ShBA-të, NATO-në apo Bashkimin Evropian.

“Politika kosovare, partitë kosovare duhen të orientohen dhe të marrin vendime që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me SHBA. Nuk është e mjaftueshme konfrontimi me dikënd për të lënduar raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-në dhe Bashkimin Evropian”, tha Thaçi në ditën kur kryeministri Albin Kurti publikoi një letërkëmbim të mbajtur sekret nga ana e Thaçit që nga viti 2013- në kohën kur ai ishte kryeministër- me të cilën garantonte se Forca e Sigurisë e Kosovës nuk do të shkonte në veri të vendit pa miratimin paraprak të NATO-s.

Ai shtoi se Kosova duhet të prodhojë argumente pozitive të cilat lehtësojnë mbështetjen e ShBA-ve për zhvillimin e shtetit.

“Kosova ka nevojë të prodhoj argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve, për zhvillimin në Kosovë për demokracinë, për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm shtetëror dhe në të njëjtën kohë për të lehtësuar mbështetjen të aleatëve të tjerë”, tha Presidenti Thaçi.