Tërmkolli: LDK e shpërfytyruar në 30 vjetor

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se në 30 vjetorin e saj, LDK-ja është gjithҁka tjetër, përveç LDK identitare Rugoviane.

Tërmkolli ka thënë se “është koha për ringritjen e LDK-së Rugoviane, LDK-së së interesave të Kosovës, LDK-së që punon për Kosovën, integrimet shqiptare e evropiane thellësisht perëndimore, LDK-së së guximit politik kombëtar, LDK-së së kulturës politike demokratike, LDK-së përbashkuese rreth ideve e idealeve shtetërore kombëtare, vlerave të lirisë dhe vlerave më të larta njerëzore”.

“LDK, në 30 Vjetor! Në 30 Vjetorin e saj, LDK-ja është gjithҁka tjetër, përveҁ LDK identitare Rugoviane. Udhëheqja e saj e “ngushtë” për më se 10 vite ia ka shpërfytyruar shpirtin dhe trupin e saj deri në “zhbërje”. E kanë shëndërruar LDK-në në një shoqëri aksionare të tyre dhe bëjnë ҁ‘farë të munden e ҁ‘farë të duan me të. Të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes, e degdisën LDK-në nga partia e lëvizja më e fuqishme politike, prijëse e proceseve më të mëdha e më të rëndësishme të Kosovës, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore të tyre dhe të nënshtruar ndaj ҁdo interesi të të tjerëve. Është koha për ringritjen e LDK-së Rugoviane, LDK-së së interesave të Kosovës, LDK-së që punon për Kosovën, integrimet shqiptare e evropiane thellësisht perëndimore, LDK-së së guximit politik kombëtar, LDK-së së kulturës politike demokratike, LDK-së përbashkuese rreth ideve e idealeve shtetërore kombëtare, vlerave të lirisë dhe vlerave më të larta njerëzore. Po të duam, po të bëhemi bashkë, po ta kemi përnjëmend, LDK-në tonë e bëjmë të tillë, për vendin tonë, për të ardhmen tonë!”, ka shkruar Tërmkolli në Facebook.

Sot mbushen 30 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). /21Media