Tepelenë, 4 të vdekur në një aksident trafiku

Një aksident tragjik me katër viktima dhe dy të plagosur ka ndodhur në Tepelenë, njofton Top-Channel.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, ku u përfshinë në aksident 3 automjete.

Sipas policisë, si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 4 shtetas ende të paidentifikuar dhe janë dëmtuar 2 persona të tjerë, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit, ndërsa sipas gazetares Kristina Fidhi, dyshohet se shkak për humbjen e kontrollit të mjetit, që shkaktoi aksidentin, nga verifikimet paraprake mendohet se ka qenë rrëshqitja në terren të lagësht, dhe shpejtësia mbi normën.

Siç duket edhe nga fotot, aksidenti ka qenë i fortë, pasi një makinë është shtypur pothuajse e gjitha.

Forcat zjarrfikëse kanë nxjerrë personat e bllokuar në automjete, por katër prej tyre fatkeqësisht nuk kanë mbijetuar dot./Top-Channel