Të enjten seanca e Kuvendit, PDK kërkon të hiqet obligimi për deklarim të pasurisë për mjekët e profesorët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës tha se të enjten e radhës do të mbahet seanca e Kuvendit.

Sipas Mujës në ditën e njëjtë do të jenë edhe dy seanca vazhdim nga herat e kaluara.

“Dy projektligje të rëndësishme pritet të diskutohen e hidhen në votim e para ështëLigji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë dhe Ligji për skemën e granteve komunale bazuar në performancë”, tha ai.

Kurse, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha se kërkesë e PDK-së është që në Projektligjin për prejardhjen dhe deklarimin e pasurisë i cili pritet të jetë në seancë në lexim të dytë të largohen kategoritë e zyrtarëve siç janë mjekët dhe profesorët.

“Me që ky projektligj nuk i ka marr votat e mjaftueshme të deputetëve në seancë plenare, kërkuam lexim të tretë në mënyrë që të adresohet kërkesa e PDK-së që këto dy kategori që nuk janë të ekspozuara ndaj korrupsionit të largohen sepse është barrë e madhe edhe sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsionit”, tha ajo.

Deliu-Kodra tha se nëpër seanca në radhë të parë do të duhej të ketë prezencë të deputetëve të partisë në pushtet sepse sipas saj, shumica po dështon t’i votojë projektligjet që vijnë nga qeveria.

“Konsiderojmë që në radhë të parë shumica parlamentare duhet të jetë aty”, tha Deliu-Kodra.

Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur ta kalojë Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave pasi që vetëm 52 deputetë të Kuvendit kanë marrë pjesë në votim, në seancën e djeshme.