Tiketa e Policisë FOTO-RTV21

Taksisti dënohet me 300 euro gjobë pasi ‘ofendoi’ policin civil

Muaz Stublla, taksist nga Fushë Kosova, ka treguar për KALLXO.com se javën e kaluar i doli punë me një polic.

Stublla pretendon se në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, deri sa ishte parkuar për të marrë udhëtarë, një person në rroba civile i është afruar te makina duke e kërcënuar që ta lirojë rrugën e duke ia kërkuar dokumentet.

Stublla pretendon se personi në fjalë është Maxhun Maloku, i cili është polic, por sipas Stubllës, në momentin kur ai i ka kërkuar dokumentet, nuk ka treguar kurrfarë dokumenti që e vërteton se është polic.

“Me datën 2 dhjetor të këtij viti unë kam marrë udhëtarë tek ‘Interex’ në Fushë Kosovë, te ‘Jumbo’ realisht, te ai kallabllaku ku po rrinë aty. Dy minuta e kam ndalë kerrin, një xhip ‘Range Rover’ ngjyrë hiri, në atë pjesën anash në anën e djathtë, ma ka mëshu me sfirenë nja 20 herë. Edhe e kam çelë xhamin edhe i kam thënë, 1 minutë deri sa të kalojë, deri sa të mbushem me udhëtarë. Në atë moment kam qenë duke i marrë pasagjerët, 2 sekonda deri sa kanë hyp në kerr”, pretendon Stublla.

Ai thotë se personin në fjalë nuk e ka njohur fare dhe as nuk e ka pasur idenë se është polic.

“As idenë nuk e kam pasë që është polic. As nuk më ka qit bexh, as kurgjo, kurgjo… Kish qenë me grua dhe dilke prej dyqanit të llusterave. Edhe mu ka afru te xhami, fytyrën e madhe, i kuq, i mërdheztë edhe po më thotë grahi kerrit, unë i thash 1 minutë deri sa t’i marr udhëtarët. Edhe në atë moment më ka thënë dokumentet, i thash për çka dokumentet ty, kush je ti? Dokumentet po të them, edhe unë i thash hec more çfarë dokumente. Për me i ikë konfliktit e kam mshel xhamin me qito dy fjalë. Ky quhet, e ka shkru ktu, Maxhun Maloku”, thotë Stublla.

Ai tutje pretendon se polici në fjalë ka urdhëruar disa policë të tjerë që ta ndalojnë dhe ta gjobisin.

“Edhe unë kam vazhduar me gjithë udhëtarë, te rrethi në Fushë Kosovë nja 30 policë të rinj, më kishin dalë, edhe unë mendova që rutinë kontrollë, edhe po më ndalin, po më thonë arsyen e ndaljes, bile njërit polic iu merrke goja, a e din arsyen e ndaljes, i thash jo. Tha hajt se e merr vesh kur të shkojmë në stacion”, thotë Stublla.

“Kur shkova aty po e shohë atë zotërinë që mu kërcënua tek xhami. Realisht polic ai, me tesha unë nuk e disha që është polic. Edhe aty më ra në mend që ky ka mujt me mi lajmëru policët. Ata e kapshin për qafe, hajde bos, ku je bos. Edhe gruaja e vet kish qenë police, më duket. Edhe ajo jemi ardhë me iu vizitu qysh po iu shkojnë punët, edhe ajo bojke hajgare. Edhe na ndajtën nëpër dhoma”, tregon ai.

Stublla thotë se në stacionin policor ka kërkuar falje në lidhje me rastin, me arsyetimin se nuk e ka ditur se Maloku është polic, pasi i njëjti nuk ka prezantuar ndonjë dokument.

“Nëse e kisha ditë që është polic, edhe po i kërkoj falje, nëse nuk t`u kam ndalë, si polic, nuk e kam ditë, po të kërkoj falje, mos ma shkruaj dënimin. Jam mbajtës i familjes, i papunë, po duhet me mbet gjallë diqysh. Ka edhe kamera, tek ajo e llusterave, mundemi edhe me e verifiku, kanë qenë edhe kamerat, ky nuk më ka prezantu kurrfarë ID-je, hiq kurrfarë ID-je. Edhe kur shkuam aty, ai u paraqitke viktimë, unë u mundojsha me i kërku falje, jo andej jo këndej, nuk bahet edhe më thanë ti e ke shajtë policin zyrtarë. Thash qysh bre policin zyrtarë, unë nuk e kam shajtë. Tha 300 euro dënim. Edhe e ula kryet, thash çka po ndodhë, edhe ma shkruajtën dënimin”, ka treguar Stublla.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të kuptuar arsyen se pse ka ndodhur një gjë e tillë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Policia nuk ka kthyer përgjigje.