Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Zhvillimet në veri nuk janë nga serbët lokal, por nga grupe të caktuara që janë koordinim të ngushtë me Vuçiqin

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur lidhur me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit.

Ai ka thënë se është evidente që pjesë e këtij orkestrimit nuk janë serbët lokal, por sipas tij janë grupe të caktuara që janë në koordinim të ngushtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Lidhur me zhvillimit e fundit në veri të vendit është evidente që pjesë e këtij orkestrimit nuk janë serbët lokal por grupe të caktuara dhe të organizuara me koordinim të ngushtë me Vuçiqin”- ka thënë Sveçla.

Tutje ai tha se veprimet e veprimet e Listës Serbe erdhën pas një bisede të gjatë që ata patën me presidentin e vendit fqinj.

“Veprimet e Listës Serbe erdhën pas një bisede të gjatë me Vuçiqin, i cili të shtunën gjeti kohë që të bisedojë edhe me Ambasadorin e Rusisë e Kinës për situatën në veri”- tha i pari i MPB-së.

Sipas Sveçlës kjo u bë me qëllim që të destabilizohet situata e sigurisë në vend dhe të shkaktohet mos funksionim të institucioneve të Kosovës.

Sveçla: Deri më tani 578 dorëheqje nga zyrtarët policorë në veri

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në Veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.