Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com
Sveçla: Deri më tani 578 dorëheqje nga zyrtarët policorë në veri
578 zyrtarë policorë kanë ofruar dorëheqje nga pozitat e tyre në Policinë e Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kështu ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryeministrin e Kosovës, pas zhvillimeve në veri të vendit.
Ai theksoi se nga 578 dorëheqjet e ofruara, 461 janë nga policët e rendit, 107 nga Policia kufitare dhe 10 nga hetuesia.
“Zhvillimet e fundit kanë shqetësuar shumë nga ju. Më lejoni të ju njoftoi e deri më tani në Policinë e Kosovës në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës veri dhënë stacionet përkatëse janë pranuar njoftime nga stafi i komunitetit serb. Zyrtarisht janë paraqitur dorëheqje. Dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve e shantazheve të cila rrezikojnë edhe ekzistencën e këtyre zyrtareve nëse nuk japin dorëheqje”- tha ai.
Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.
Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.
Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.
Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.
Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.