Foto: Telegram

Sveçla: Nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë, edhe ne po e presim e mandej e vizitoni në burg

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi në disa lokacione në veri të vendit janë vendosur më 30.06.2024 disa pamflete me fotografi të presidentit të Serbisë me mbishkrimin “komandant suprem, po të presim!”.

Sveçla ka thënë se nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë te autoritetet kosovare, atëherë shton ai, se do ta presin dhe do ta vizitojnë në burg.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij” – ka shkruar Sveçla.

Në disa lokacione në katër komunat veriore të vendit janë shpërndarë pamflete me foto të presidentit të Serbisë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se nuk kanë të dyshuar, ndërsa shton se policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit.

“Pas konsultimit me Prokurorin e shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes”- tha ai më 30.06.2024

https://kallxo.com/lajm/shfaqen-pamflete-me-foto-te-vuciqit-ne-disa-lokacione-ne-veri/