Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com
Sveçla: Ka eksponentë të BIA-s serbe dhe të GRU-së ruse në veri të Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se aktualisht në veriun e Kosovës ka eksponentë të BIA-s serbe dhe GRU-së ruse.
Në një intervistë në “Top News”, Sveçla ka thënë se elementet e BIA-s organizojnë grupet ekstremiste.
“Po është e vërtetë (ka eksponentë të BIA dhe GRU). Ne kemi informata se elemente të BIA organizojnë këto grupet ekstremiste, edhe GRU është aty. Ne tashmë kemi shtetas të Rusisë për dyshimet që janë spiunë, kemi pasur edhe dëshmi dhe i kemi dëbuar nga Kosova” – ka thënë Sveçla.
Sipas tij, Serbia shfrytëzon raste të tilla për të minuar sovranitetin e Kosovës.
“Qeveria e Serbisë jo vetëm që shfrytëzon raste të këtilla, por në vazhdimësi punon për të minuar sovranitetin e Kosovës, qoftë me shkelje të ligjit apo edhe me veprime kriminale në Kosovë, duke mobilizuar, financuar e organizuar grupe të ndryshme ekstremistësh të cilët në të njëjtën kohë janë grupe kriminale, meqenëse përfitojnë nga kontrabanda” – tha ai.
Në lidhje me vendimin e ri për targat serbe, Sveçla tha se Qeveria nuk është tërhequr por është modifikuar qasja fillestare.
“Ne nuk u tërhoqëm në zbatim të vendimit, e modifikuam qasjen fillestare. Ka filluar qysh në vitin 2011 kjo çështje, pastaj e kemi një marrëveshje në vitin 2016, pastaj afati ka skaduar në vitin 2021. Pastaj ne kemi filluar përgatitjet dhe e kemi bërë një tentativë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe për të ardhur deri tek një zgjidhje dhe ne kemi sjellë një vendim plotësisht legal e legjitim, i cili nuk ka kurrfarë çështje për t’u diskutuar” – ka thënë Sveçla.
“Ne jemi të bindur me këtë sekuencim që e kemi bërë dhe me këtë shumëllojshmëri masash që kemi në plan, do t’ia dalim që suksesshëm të implementojmë këtë masë, pa e cenuar sigurinë në masë të madhe”.