Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se i arrestuari Milun Milenkovic- Llune, është njëri nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës e bandave kriminale.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”- ka shkruar Sveçla.

Tutje ai ka njoftuar se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”- ka shtuar Sveçla.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Situata e sigurisë arriti kulimin e tensionimit të hënën më 29 maj kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth 30 paqeruajtës u lënduan, ndërsa tre u plagosën nga arma e zjarrit, konfirmoi zyra për medie e këtij misioni.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.