QKMF në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Suspendohet një mjek i QKMF-së në Lipjan, dyshohet për neglizhencë dhe papërgjegjësi ndaj pacientëve

Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Lipjan Shkelzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun e përgjithshëm, F. G.

F. G. dyshohet se ka deklaruar rrejshëm se aparatura e nevojshme dhe EKG janë jashtë funksionit.

“Pas konstatimit nga Drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku F. G., mjek i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

Në njoftim thuhet se ky rast do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore dhe se askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve.

KALLXO.com lidhur me rastin ka kontaktuar Policinë në Rajonin e Prishtinës.

“Policia e ka këtë informatë, është duke e trajtu në koordimin me Prokurorinë”, ka thënë zëndhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.