Sulmi i kameramanit në Mitrovicën e Veriut, deklarohet Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, nëntë nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni Kodra e Minatorëve që gjendet në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit tw Policisë, këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault, i cili dyshohej se i ka përcjellë, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore.

Më pas thuhet se në atë lokacion ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, përderisa ka shkuar dhe ka qenë në kryerje të detyrës një kameraman i portalit “Insajderi” i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se i njëjti është penguar në kryerje të detyrës si dhe është goditur nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë.

“Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas organeve të rendit, kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin thuhet se janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit.

Rasti po cilësohet si “Sulm dhe lëndim trupor”.

Njëkohësisht Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka dënuar ashpër sulmin ndaj kameramanit të portalit ‘Insajderi’, në veri të Mitrovicës.

Përmes një reagimi, AGK-ja është shprehur e shqetësuar dhe e tronditur me sulmin, ndërsa ka ftuar Policinë e Kosovës që ta hetojë me urgjencë rastin dhe t’i identifikojë personat përgjegjës.

“Sipas kësaj medie, Muji bashkë me gazetarin, Visar Duriqi, kanë qenë në veri për të përgatitur një emision, kur kanë parë futjen në veturë të një të riu nga disa persona. Kur Muji e ka xhiruar ngjarjen, ai është sulmuar nga këta persona, dhe ka përfunduar në Emergjencën e Spitalit në jug të Mitrovicës” – thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Sulmohet në Mitrovicë të Veriut kameramani Jetmir Muji, AGK dënon sulmin