Ilustrim

Specialistët e psikologjisë klinike ankohen për parregullsi në konkursin e ShSKUK-së

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës së fundmi ka publikuar një konkurs për pranimin e dy psikologëve klinik me vend pune në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas aplikantëve konkursi përmban shkelje në kushtet e parashtruara për rekrutimin dhe në koeficientin e pagës së paraparë.

“Konkursi kërkon vetëm shkollim bazik universitar në fushën e psikologjisë, duke paraqitur kushte të pamjaftueshme të përgatitjes profesionale për rekrutimin e profileve të aftësuara për aplikimin e këtij profesioni. Për më tepër, konkursi parashtron koeficient page të zhvlerësuar, në raport me profesionistët tjerë të shëndetit mendor që janë punësuar gjatë vitit 2018 në ShSKUK” thuhet në reagimin e psikologëve klinik.

Sipas tyre këtë vend e meriton kuadri më i përgatitur për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Specialistët e Psikologjisë Klinike, të shkolluar sipas legjislacionit në fuqi, janë të deprivuar nga aplikimi i dinjitetshëm dhe meritor në konkursin e shpallur, duke qenë se shkollimi dhe licensa e tyre e fituara zhvlerësohet në saje të konkursit të parashtruar. Specialistët e Psikologjisë Klinike kanë paraqitur shqetësimet e veta pranë institucioneve kompetente dhe ende janë në pritje të ndërmarrjes së veprimeve konkrete meritore për eliminimin e kësaj parregullësie” thuhet në reagimin e tyre drejtuar KALLXO.com.

Nga ana tjetër Qendra Klinike Universitare e Kosovës thotë se atyre nuk ju duhen titujt master në psikologji.

“QKUK është institucion shëndetësor dhe kërkohet specialist i psikologjisë klinike, pra për punë në institucione shëndetësore, jo titull master në psikologji klinike. Kjo është edhe arsyeja pse konkursi figuron si i tillë” thuhet në përgjigjen e tyre.

SHSKUK e kishte bërë përmirësimin e konkursit duke e hequr kriterin e studimeve master në psikologji.

Për raste të tilla KALLXO.com ka raportuar edhe më herët

Mjekët Ankohen Për Padrejtësi Në Konkurse