Sot në Bruksel mbahet takimi i parë Kurti - Vuçiq

 

Sot pritet të mbahet takimi i parë në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Sipas një njoftimi të BE-së, në takim do të marrin pjesë edhe kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

“Të martën, 15 qershor, një takim i nivelit të lartë i Dialogut Beograd-Prishtinë do të zhvillohet në Bruksel. Do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i cili mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak. Do të marrin pjesë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00). Deklaratat do të transmetohen në EBS dhe do të ndahen me shkrim në faqen e internetit të EEAS”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i pari mes tyre, nuk do të jetë për dialogun e moçëm, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen. Ndërkaq, Bashkimi Evropian (BE) pret që në takimin të ketë vazhdim të negociatave për temat e mëparshme dhe marrëveshjet e dialogut, dhe jo ndonjë fillim të ri i dialogut.

Në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Joseph Borrell.

Pastaj, në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Borrell do të ketë takime bilaterale, të ndara fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.

Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë–Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.