Foto: Komuna e Malishevës, Ilustrim

Situata me helmim në Malishevë, kryetari i Suharekës ofron gatishmërinë për t'iu dalë në ndihmë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka shprehur gatishmërinë e komunës së tij që t’iu ndihmojnë komunës fqinje, Malishevës, pas situatës me helmim të mbi 150 qytetarëve.

“Natyrisht besojmë, që institucionet shëndetësore në Komunën e Malishevës do t’ia dalin me situatën e fundit të helmimit, dhe se me profesionalizëm po punohet në tejkalimin e kësaj situate. Megjithate ekipet tona shëndetësore nga komuna jonë, janë të gatshme t’ju ndihmojnë dhe asistojnë kurdo që e kanë të nevojshme. Për këtë rast kam biseduar edhe me Kryetarin z.Ekrem Kastrati, duke e shprehur gatshmërinë tonë.” – ka shkruar kryetari Muharremaj, të dielën në rrjetin social “Facebook”.

Mbrëmë u raportua se numri i personave të helmuar nga ushqimi në një lokal në Malishevë ka shkuar 158. Kështu ka bërë të ditur Komuna e Malishevës, derisa ka thënë se situata aktualisht është nën kontroll.

“Sipas drejtorit për Shëndetësi, Hajdin Berisha dhe drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, pavarësisht rritjes së numrit të personave të helmuar, situata është nën kontroll të plotë dhe janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore”- thuhet në njoftim.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se në këtë lokal janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore dhe 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me helmimin e disa qytetarëve në Malishevë.

Ai ka thënë se mbrëmë ka vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

Sipas tij, gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

Ndërsa, ka shtuar se Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.