
Foto: Lumir Abdixhiku/ Facebook
Abdixhiku në Malishevë: Do të krijojmë programe specifike për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, e ka vazhduar fushatën elektorale më 24.01.2025 në Malishevë.
Abdixhiku ka thënë se në çdo anë të vendit po jehon fort thirrja e madhe popullore për ndryshim.
Ai ka premtuar investime miliardëshe.
“Siç bëjmë në çdo tubim, edhe në Malishevë folëm për projekte madhore e për zgjidhje konkrete. Folëm për të ardhmen, dhe për ‘Rrugën e Re’! Do t’i investojmë 5 miliardë euro në katër vite për ta transformuar infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe energjinë e Kosovës, dhe për ta ringjallur ekonominë tonë! Do të krijojmë programe specifike për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë me qasje më të lehtë në financim dhe teknologji modern”- ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se do t’i realizojnë të gjitha projektet zhvillimore.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.