Si janë kushtet e minatorëve në Trepçë? Tregon kryetari i Sindikatës

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se minatorët janë duke u përballur me kushte të këqija të punës.

Ai në emisionin #KallxoPërnime, në të cilin u disktua për ndërmarrjet publike në Qeverinë Kurti 2, tha se minatorët kanë rroba me kualitet shumë të dobët.

“Unë mund të them se që nga viti 2019 Trepça nuk ka pasur ndonjë mbështetje ose ndonjë investim kapital sa i përket makinerisë punuese brenda për brenda minierës, operojmë me një fletacion të stërvjetruar i cili një të tretën e prodhimit na e kthen në material steril. Sa i përket kushteve qëndrojmë shumë më keq, sepse në tri vitet e fundit vetëm tash në muajin janar ka ardhur një kontingjent i rrobave ose i pajisjeve të punës, e të cilat janë rroba të kualitetit më të ulët, sa që nëse i veshë njëpar çizme një minator që nuk i qëndrojnë ose nuk i rezistojnë shkëmbive thërrmues as dy javë” – ka thënë Jonuzi.

Ai ka pati kritika edhe për mënyrën se si po menaxhohet Trepça, duke thënë se menaxhmenti dhe bordet nuk kanë pasur një plan të mirëfilltë për menaxhimin e ndërmarrjes.

“Tash mund të themi se Trepça po menaxhohet pa një plan të mirëfilltë, ku jemi futur në një rrugë definitivisht shumë të vështirë. Nuk ka një plan të detajuar të menaxhimit të ndërmarrjes, nuk ka profesionistë të fushës përveç sa i përket menaxhimi të minierës. Sa i përket bordeve sa i përket kryeshefave ekzekutiv ata vijnë pa plane të detajuara, vijnë pa një staf mbështetës të cilët kanë përvojë në menaxhimin e minierave të cilët do t’i shtynte më përpara” – ka thënë ndër të tjera Jonuzi.

Në emisionin Kallxo Përnime është duke u debatuar për ndërmarrjet publike në Qeverinë Kurti 2. Të ftuar në debat janë deputeti Armend Muja; Nagip Skenderi njohës i ekonomisë dhe profesor në UP; Jakup Bellaqa njohës i ekonomisë dhe Ibrahim Jonuzi kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.