Shqipëria rrit borxhin publik, parashihet të blejë dronë ushtarakë

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që të rrisë deficitin buxhetor të këtij viti për disa shpenzime që përfshijnë blerjen e dronëve të prodhimit turk nga Ministria e Mbrojtjes si dhe investime të ndryshme.

Sipas qeverisë, “projekti prioritar i Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë është në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.”

Nuk ka të dhëna mbi cilësitë dhe kapacitetet e dronëve në fjalë dhe as për markën, por ministri i brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi ka vizituar fabrikën e kompanisë turke Bayraktar, e cila prodhon dronë të llojeve të ndryshme.

Qeveria po ashtu ka paraparë investime edhe për projektin e quajtur “Unaza e Madhe e Tiranës”, përfshirë projektet aktuale të shumëdebatueshme për shkak të kostove të stërmëdha si dhe investime shtesë për ujësjellësa.

Kjo do t’i kushtojë 92 milionë euro borxhe për një total prej 1 miliardë eurosh, bëhet e ditur nga një projektligj për akt normativ i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Të gjitha këto shpenzime do të financohen me borxh publik pasi qeveria nuk parashikon ndonjë rritje në të ardhura.

Në listën e shpenzimeve me borxh janë edhe 900 milionë lekë për t’iu transferuar Bashkisë Tiranë për projektin e Teatrit Kombëtar. Vetë Bashkia Tiranë dhe qeveria këmbëngulën për vite me rradhë se duhej të jepnin një koncesion për një kompani private pasi nuk kishin para për të financuar ndërtimin e një teatri të ri, gjë për të cilën dukshëm kanë ndryshuar plan.

Relacioni i Këshillit të Ministrave nuk është shumë i detajuar sa i përket pjesës tjetër të parave. Rreth 3 miliardë lekë (25 milionë euro) deklarohet se do të shpenzohen “për projektet në vazhdim, të programeve të zhvillimit,” pa shpjeguar se çfarë janë këto programe zhvillimi ndërsa 4.8 miliardë lekë do të shpenzohen për Unazën Veriore të Tiranës si dhe për “projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.”

Aktualisht janë tre projekte mbikalimesh në zbatim në Unazën e Madhe të Tiranës, ku përfshihet sistemi i mbikalimit në vendin e quajtur “Shqiponja”.

Rreth 1 miliardë lekë do t’i jepen shtesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për diçka që relacioni e përshkruan si “financimi i nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.”

Në total, deficiti buxhetor i këtij viti pritet të arrijë në afro 1 miliardë euro, të cilat janë borxhe që qytetarët shqiptarë do të duhet t’i paguajnë gjatë dekadave të ardhshme. reporter.al