Shqipëria do t'i sigurojë rrymë Kosovës për më 31 dhjetor dhe 1 janar

Ministrja e Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën me energji elektrike më 31 dhjetor dhe 1 janar.

Balluku tha se kryeministri Edi Rama ka lënë këtë porosi të veçantë sa i përket përballimit të krizës energjetike në Kosovë.

“Kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore, specialistët tanë së bashku me specialistët e Korporatës Elektroenergjetike për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë shumë të rëndësishme”, tha ministrja.

Ajo u shpreh se është arritur të sigurohen 3600 megavatë orë për 31 dhjetor dhe 4080 për 1 janar.

“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e KEK-ut kemi arritur që të sigurojmë 3600 megavatë orë për datën 31 dhjetor dhe 4080 megavatë për datën 1 janar. Këto megavatë orë që do të jepen në formën e depozitimit, pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës, duke kërkuar që t’i rikthehen Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet tona hidrike fillojnë të bëhen të vështira, kështu që kjo depozitë do kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës”, tha Balluku.

Ndryshe, Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.

Ditë më parë, Qeveria shpalli 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.