Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shqipëria arreston nëntë persona për trafikim me emigrantë

Policia në Shqipëri ka arrestuar nëntë persona në qarkun e Durrësit të cilët po trafikonin emigrantë përmes itinerarit Turqi-Greqi- Shqipëri drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Aksioni policor u krye pas gjashtë muajsh hetime, thanë autoritetet, duke shtuar se është vërtetuar se këta shtetas të organizuar si grup kriminal, kundrejt pagesave që varionin nga 3500-5000 euro transportonin emigrantë nga Nepali, Afganistani, Bangladeshi dhe India.

Sipas policisë shqiptare, emigrantët pasi grumbulloheshin në Greqi, kaloheshin nga pjesëtarët e këtij rrjeti, nga kufiri i gjelbër, në Sarandë, Gjirokastër dhe në Korçë. Më pas, emigrantët akomodoheshin në ambiente të ndryshme dhe transportoheshin me automjete të marra me qira drejt Shkodrës, që të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.

Policia tha se pagesat dërgoheshin nëpërmjet pikave të transferimit të parave.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar shtatë automjete që përdoreshin për transportimin e emigrantëve, 4.000 euro dhe rreth 100.000 lekë, të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 19 telefona mobilë të pjesëtarëve të rrjetit.

Më herët në Shqipëri, autoritetet kanë ndërmarrë edhe katër aksione kundër trafikimit me emigrantë dhe janë arrestuar katër persona./REL