Shqipëri, edhe 22 raste me COVID-19

Regjistrohen 22 raste të reja me coronavirus në Shqipëri , duke e çuar në 584 numrin e përgjithshëm të infeksioneve.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me COVID-19.

Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë, njofton oranews.

Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja.

Deri në këto momente janë testuar 5,775 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 584 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327.

Aktualisht në Shqipëri janë 231 persona të infektuar aktivë.

Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor./21Media