Shqipëri, 3 viktima dhe 69 raste të reja me COVID-19

3 qytetarë kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 në Shqipëri.

“Një 44-vjeçare nga Durrësi, një pacient 71-vjeçar nga Tirana dhe një pacient 85-vjeçar gjithashtu nga Tirana. Të 3 pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor”, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Tutje është bërë e ditur se janë regjistruar edhe 69 raste pozitive me COVID-19.

“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar. Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive”, është thënë më tej.

Po ashtu 25 qytetarë janë shëruar plotësisht nga coronavirusi.

“Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1459 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftim.

Në Shqipëri aktualisht janë 1014 persona aktiv me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës./TopChannel