Shpërthim në fabrikën e fishekzjarreve, 23 të vdekur - VIDEO

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i madh në një fabrikë fishekzjarresh në Indi.

Shpërthimi në Gurdaspur, që u pasua nga një zjarr i madh, shkatërroi ndërtesën që përdorej për prodhimin e fishekzjarreve që ndodhej në një zonë të banuar.

Ndërkohë nuk dihet ende shkaku i ngjarjes. Ekipet e kërkim-shpëtimit po mundohen të nxjerrin trupat nga rrënojat.

Shpërthimi ishte aq i fortë saqë shkatërroi dritaret dhe shembi disa mure të ndërtesave aty afër.

Disa këmbësorë që po kalonin në zonë në kohën e shpërthimit gjithashtu u plagosën. Inspektori i përgjithshëm Surinderpal Singh Parmar tha se prodhuesit e fishekzjarreve mund të kenë qenë duke punuar në mënyrë të paligjshme.

Ata nuk e kishin rinovuar kontratën për prodhimin e fishekzjarreve prej dy vitesh.

Fishekzjarret përdoren gjerësisht në Indi gjatë festimeve, veçanërisht në festivalin më të madh hindu Diwali që mbahet në fund të tetorit.

Të shtunën, të paktën 12 njerëz u vranë dhe 58 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një fabrikë kimikatesh në shtetin perëndimor të Maharashtra.

.