Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shoqata e të Verbërve të Kosovës e quan fyerje gjuhën e përdorur në Kuvend, Basha kërkon falje publike

Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka reaguar lidhur me gjuhën e përdorur në Kuvend nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, duke e quajtur fyerje dhe diskriminim për të gjithë të verbrit e Kosovës.

Deputeti Basha sot në Kuvend u shpreh: “Kryeministri tha se unë jam i mirëseardhur për ide kreative, është si me lypë prej qorrit sy”.

Daut Tishuku nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com tha se terminologjia që e ka përdorur deputeti Basha është për keqardhje.

“Ajo terminologji që e ka përdorur deputeti Basha është për keqardhje, këto terme na ndodh të hasim nëpër portale por shprehja e tij sot në Kuvend është fyerje dhe diskriminim për të gjithë të verbrit e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai tha se Basha duhet të kërkojë falje publike lidhur me këtë deklaratë.

“Në do t’i drejtohemi edhe me një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit dhe kish qenë mirë që ai të kërkojë falje publike sepse ndoshta ai në debat në afekt e ka përdorë por është një fyerje e rëndë që ju ka bërë të verbërve”, ka thënë Tishuku për KALLXO.com.

Deputeti Basha përmes një postimi në Facebook ka kërkuar falje publike duke e quajtur lapsus të momentit këtë deklaratë.

“Ka qenë lapsus lingua e momentit. Pajtoj që është absolutisht e gabueshme dhe prandaj kërkoj falje publike, edhe pse qëllimi im nuk ka qenë ofendimi ndaj askujt”, ka thënë Basha.

Kuvendi i Kosovës sot po mban seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës – debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.