Shfrytëzuan për prostitucion 24 vjeçaren në Fier, arresthen tri të dyshuarat

Policia e Shtetit ka arrestuar tri gra të cilat po dyshohen se dhunuan dhe i hoqën lirinë një 24 vjeçareje si dhe e shfrytëzuan atë për dy muaj për prostitucion.

Sipas një komunikate për media, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas po shfrytëzonin një 24-vjeçare për prostitucion, kanë referuar materialet në Prokurorinë e Fierit, e cila regjistroi një procedim penal për këtë rast.

Në njoftim bëhet e ditur se, bazuar në provat e siguruara nga hetimi proaktiv  dymujor,  u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar  “Imponimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”  dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

“-P. I., 32 vjeçe, banuese në Patos, A. T., 19 vjeçe, banuese në Fier dhe i një 17-vjeçareje  banuese në Fier. 32-vjeçarja ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”- janë të arrestuarat sipas Policisë së Shtetit.

Ndërkaq është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Fier, organizator i kësaj veprimtarie kriminale i cii sipas Policisë ka qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë.

“Vijon puna për kapjen dhe vënien para drejtësisë të 33-vjeçarit, organizator i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast”- njofton tutje Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.