Shërbimet spitalore në ShSKUK kthehen në normalitet

Ambulancat Specialistike të ShSKUK janë kthyer në normalitet pas situatës me pandeminë COVID-19.

Përmes një konference për media ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se kanë liruar disa nga klinikat të cilat kanë trajtua pacientë me COVID-19 si dhe se janë kthyer shërbimet ambulatore në QKUK, operacioneve jo emergjente dhe shërbimeve të tjera elektive.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar largimin e disa masave dhe kufizimeve dhe ne kemi vendosur lirimin e disa klinikave dhe kthimin e tyre në normalitet. Kjo nuk duhet të na krijojë lehtësira të mëdha se shtetet e rajonit kane rritje të numrit të rasteve. Lirimi i masave do të na e shtojë kujdesin dhe punën në menaxhimin e pandemisë”, ka deklaruar Zemaj.

Kujtojmë se disa klinika të Shërbimit Spitalor të Kosovës janë shndërruar në Klinika që trajtonin pacientët e infektuar me virusin COVID-19 pas situatës së krijuar me shtimin e rasteve.

Gjithashtu U.D drejtori i Shërbimit Spitalor ka thënë se tashmë kanë udhëzuar të gjitha Spitalet Rajonale t’i kthejnë shërbimet në bazë të vendimit të fundit të cilin ju kanë dërguar.

“Ne sot kemi lajme të mira. Konform vendimeve te Qeverise sot kemi filluar shërbimet në ambulancat e QKUK dhe kemi dhënë udhëzimet e nevojshme për fillimin e shërbimeve të nevojshme edhe për Spitalet Rajonale”, ka deklaruar Valbon Krasniqi.