Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Serbia e cilëson si ‘ferr’ vendimin e Qeverisë së Kosovës , reagon Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga një media serbe, i cili duke iu referuar vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave dhe leternjoftimeve, thotë se shqiptarët janë duke e përgatitur ferrin për ditët në vijim.

Në artikull thuhet se ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç e ka bërë këtë deklaratë.

Zëvendëskryeministri Bislimi këtë artikull e ka quajtur si një ilustrim të frikësimit dhe sipas tij për qëllim ka përhapjen e panikut.

“Mbiprodhimi i artikujve të tillë të sponsorizuar nga qeveria në mediat serbe, është një ilustrim i përsosur i frikësimit si strategjia kryesore e qeverisë në shfrytëzimin e turpshëm mediatik për përhapjen e panikut dhe promovimin e “akteve heroike” të udhëheqjes shtetërore”, ka shkruar Bislimi në Twitter.

Qeveria e Kosovës, më 29 qershor të këtij viti mori edhe vendimin që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Ky vendim do të filloj zbatimin këtë të hënë, pra më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022.

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka bërë një postim sot ku ka rikujtuar se nga data e lartcekur vendimi i marr në mbledhjen e 85 të Qeverisë do të fillojë zbatimin.

“Të dashur qytetarë, bazuar në vendimin e Qeverisë, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në postimin e Qeverisë.

Sipas qeverisë, ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror dhe dokumenti në fjalë ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë ditë.

Po ashtu, Qeveria ka njoftuar se me një dokument të tillë do të pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ky fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.