Save the Children: Të paktën dy mijë fëmijë të vrarë në Gaza

Organizata jofitimprurëse ndërkombëtare “Save the Children” po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, duke thënë se numri i fëmijëve të vrarë në këtë vend ka arritur të paktën në dy mijë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i mbrojtur jetët e fëmijëve dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i mbështesë ato përpjekje” – tha organizata e lartcekur në një deklaratë të hënën, duke shtuar se sulmet ajrore izraelite “po vrasin dhe plagosin fëmijë pa dallim”.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka thënë më herët se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në territorin e rrethuar ka arritur të paktën 5,087, duke përfshirë 2,055 fëmijë dhe 1,119 gra.

“Save the Children” shtoi se më shumë se 1 milion fëmijë janë “të bllokuar” në Gaza pa asnjë vend të sigurt për të shkuar. Organizata humanitare paralajmëroi për ndikimet shkatërruese të mungesës së ilaçeve dhe energjisë elektrike për ta fuqizuar infrastrukturën shëndetësore në enklavën me popullsi të dendur.

“Sistemi shëndetësor [në Gaza] ka arritur fazën më të keqe në historinë e tij” – ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf Al-Qudra, në një deklaratë të martën herët./CNN