Saudin Maliqi - FOTO - MSh

Saudin Maliqi tërhiqet nga gara për drejtor të ShSKUK-së

Saudin Maliqi është tërhequr nga gara për Drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Maliqi kishte konkuruar në konkursin për drejtor të ShSKUK-së dhe e kishte kaluar fazën e parë. Ai i kishte plotësuar kriteret minimale të konkursit dhe ishte kualifikuar në garën për drejtor.

“Konkursi për drejtor të ShSKUK sa e humbi kuptimin, tërhiqem nga gara e konkurrimit të mëtejmë”, ka thënë Maliqi për Kallxo.com.

Maliqi, ka qenë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj deri më datën 9 nëntor.

Tërheqja e tij nga gara për drejtor është bërë në ditën kur ShSKUK-ja përmes një njoftimi bëri të dituar se pjesë e listës së ngushtë është edhe u. d. drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Valbon Krasniqi.

Njësia e Burimeve njerëzore në ShSKUK fillimisht e kishte eliminuar Krasniqin nga gara me arsyetimin se i njëjti nuk e plotësonte kriterin e konkursit për përvojë të punës në nivel menaxherial.

Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial-drejtues të institucioneve të nivelit dytësor, apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.

Emri i Krasniqit u përfshi në listën e ngushtë pas ankesës së paraqitur në ShSKUK.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në të gjitha dosjet e kandidatëve, duke përfshirë ankesat dhe përgjigjet në ankesa që i ka dhënë ShSKUK.

Valbon Krasniqi ishte kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme nacionale të vitit 2017. Kurse Saudin Maliqi ka qenë këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që vije nga LDK-ja.

Në garë janë edhe Dr. Gani Halilaj, Dr. Driton Ukmata dhe Dr. Basri Lenjani.

BIRN ka dërguar te bordi i ShSKUK-së dhe te ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kërkesën për monitorim të konkursit për drejtor të ShSKUK-së. Ministri Zemaj e ka miratuar kërkesën, ndërsa bordi i ShSKUK-së ende nuk është përgjigjur në kërkesën e BIRN-it të dërguar 2 javë më parë.

 

Njeriu i LDK-së kthehet në garë për drejtor të ShSKUK-së

www.kallxo.com