Berat Rukiqi - Foto: REL

Rukiqi: Pakoja Emergjente nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për situatën me pandeminë COVID-19 dhe pasojat që pritet të ketë në ekonominë e Kosovës.

Rukiqi para gazetarëve tha se Pako Emergjente e Qeverisë, nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë, pasi pati vonesa në implementim.

“Është pak e rëndësishme kush duhet të marrë vendim, a duhet të ketë rishikim të buxhetit. Deri sot shteti ka dështu me ofru këtë përkrahje. Nga Qeveria, parlamenti e institucionet presim vendimmarrje të bazuar në analiza dhe të dhëna. Qeveria deri tani minimalisht i ka dalur në ballë sfidave që i ka krijuar pandemia”, tha Rukiqi

Rukiqi tha se rrezikohen të mbyllen mijëra biznese dhe të humben mijëra vende pune, ndërsa bëri thirrje që të mbyllen bizneset që nuk respektojnë masat mbrojtëse.

“Ky është vit i mbijetesës. Për herë të parë, nga paslufta, ne nuk mund të mbijetojmë me të hyrat që i presim nga vizitat e diasporës.  Ndërhyrja e shtetit duhet të jetë e fuqishme. Pako e rimëkëmbjes duhet të jetë e implementuar shpejtë dhe nëse paraqiten vonesat e pakos emergjente, kemi me humb dhjetëra mijëra vende të punës”, tha Rukiqi.

Ai bëri thirrje që të respektohen masat dhe të mësohemi me ‘normalitetin’ e ri.

“Ne duhet të ndryshojmë sjelljet tona, përditshmërinë dhe mënyrën e të bërit biznes. Duhet një angazhim i të gjithëve, për të bindur shoqërinë dhe qytetarët duhet të ndryshojnë sjelljet, konform normalitetit të ri.Parandalimi i valëve të reja të pandemisë varet nga ajo se sa kujdesemi për vetën dhe për të tjerët”.