Foto: Ilustrim

Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Bizneset po rrezikohen nga vonesat në zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka reaguar për vonesat që po u bëhen bizneseve  për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Ky rrjet përmes një publikimi në Facebook ka thënë se me këto vonesa po rrezikohet stabiliteti financiar dhe po pamundësohet rimëkëmbja e kompanive të prekura nga COVID-19.

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë shpreh shqetësime lidhur me zbatimin e ngadalshëm të masave nga Pako Emergjente Fiskale që ndërlidhen me mbulimin e pagave të punonjësve dhe qirave për objekte. Rrjeti cilëson se këto ndihma të parapara përmes kësaj Pako janë esenciale për të punësuarit dhe bizneset andaj, vonesat në rimbursimin e mjeteve po kanë efekte negative dhe po e bëjnë situatën të pamenaxhueshme”, thuhet në reagim.

Sipas rrjetit, mbështetja ndaj punonjësve në sektore ku është ndërprerë aktiviteti si rezultat i masave kufizuese të ndërmarra, shtesat ndaj kolegëve në pika të shitjes të cilat janë ekspozuar ndaj virusit në baza ditore, dhe mbulimi i një pjese të qirave si lehtësim për biznese, janë të domosdoshme për garantimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mbarëvajtjen ekonomike.